Takimi i shkollave austriake jashtë vendi, Vjenë

Me 6 Qershor u zhvillua në Ministrinë e Arsimit në Vjenë takimi “ Shkollat Austriake jashtë vendi- internacionalizimi i shkollës”, i cili u organizua së bashku me takimin e përvitshëm të drejtorëve të shkollave austriake. Në takimin e drejtuar nga Ministrja Austriake e Arsimit Claudia Schmied, morën pjesë shumë personalitete: përveç Ministres së Arsimit Claudia Schmied, shefit të seksionit Huber, Stelzmüller dhe kryetarit të parlamentit Fritz Neugebauer, të pranishëm ishin edhe ambasadorët e vendeve ku ndodhen shkollat austriake: nga Shqipëria ishte Ambasadori shqiptar në Austri, Vili Minarolli.

Shkolla austriake „Peter Mahringer“, u përmend gjatë fjalimit të Ministres së arsimit si „një projekt i mrekullueshëm“ dhe u përfaqësua nga: drejtore Gerlinde Tagini, koordinator i IT-së Philip Michel, koordinator i PQM-së Manfred Tagini dhe Sonila Halluni nga klasa 3a, e cila pati nderin të përfaqësonte së bashku me një nxënës nga Praga anën e nxënësve në podiumin e diskusionit.

Për të gjithë ne ishte një mundësi e shkëlqyer për të prezantuar shkollat austriake që punojnë jashtë Austrisë dhe për të treguar për arritjet në secilat nga këto shkolla. Gjatë takimit u përsërit disa herë se sa e rëndësishme është edhe në Austri internacionalizimi i sistemit shkollor në një Europë dhe një botë që komunikon e funksionon me të njëjtat rregulla. Duke qenë një shkollë teknike për Teknologji Informacioni është përgjegjësia jonë por dhe shansi ynë, pasi pikërisht në teknologjitë moderne komunikimi është i rëndësishëm. Për këtë, moton e këtij takimi “ Shkollat Austriake jashtë vendi- internacionalizimi i shkollës” e marrim si një impuls, që shkollat austriake të internacionalizohen dhe njëherësh si një obligim që të punojmë në këtë drejtim.

Gerlinde Tagini, Manfred Tagini

Foto