Festa përmbyllëse e shkollës Austriake „Peter Mahringer“

Festa përmbyllëse e shkollës Austriake „Peter Mahringer“

19.6.2013

Më 19 qershor u organizua festa tradicionale përmbyllëse e shkollës Austriake „Peter Mahringer. Të pranishëm krahas drejtorisë së shkollës dhe konsullit të nderit Gjergj Leqejza ishin edhe miq të tjerë të ftuar nga vendi dhe jashtë tij. Festa ishte e organizuar nga nxënësit e klasës së 3A dhe disa nga mësuesit. Programi i pasur i kësaj feste u prezantua nga Alma Deja (4A) dhe Amanda Ymeraj (4B), për paraqitjen artistike u kujdesën Greta Makaj dhe Tedi Pacrami. Para fillimit të programit të ftuarit kishin rastin të shihnin një shfaqje mode e përgatitur nga Bernd Herta me disa nxënës/e të shkollës.

Pas fjalëve përshëndetëse nga drejtoresha Gerlinde Tagini dhe nëndrejtoresha Sidita Bazhdari vijoi shpërndarja e çertifikatave të fituara nga nxënësit në shumë konkurse: drejtoria uroj koordinatorin e gjuhës gjermane Markus Offner dhe Gernot Scheffknecht për fituesit e olimpiadave të gjuhës gjermane për vitet e 2-a dhe të 3-at, për konkursin e planit të biznesit dhe për konkursin e leximit për klasat e 8-a. Pika tjetër e programit ishte e trishtuar për ne: më 26.12.2012 nga një aksident fatal humbi jetën Silvana Lucaj (5B). Në kujtim të saj u mbajt një minut heshtje ndërsa mikja e saj mori nga shkolla Austriake „Peter Mahringer“ një diplomë nderi.

Më pas vijoi ndarja me mësuesit shqiptarë dhe austriakë të cilët lënë shkollën këtë fundviti: Gabriela Mirashi, Inge Bosina, Brigitte Grabner, Bernd Herta, Margit Herta dhe Patrick Schmöllerl.

Një pikë tjetër e programit ishte edhe dhënia e çmimeve nga Ministria e Arsimit Austriake për 14 nxënësit më të mirë të shkollës 9-vjeçare dhe asaj për teknologji informacioni, çmim që përmban shumën 150 euro dhe që u shpërnda nga anëtarët e këshillit të fondacionit, shefi i seksionit Wofgang Stelzmüller, këshilltari i ministrisë Friedrich Fröhlich dhe Antonieta Luli nga AVA (Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve). Si përfundim një nxënësi iu dhurua nga Artan Dizdari nga firma ABCOM lidhja e internetit falas.

Programi vazhdoi me një retrospektive e përgatitur nga Seida Basha mbi këtë 6 vjeçar të ekzistencës së shkollës Austriake. Një surprizë ishte edhe dhënia e çmimeve për 7 maturantët/et më të mirë nga presidenti i dytë në parlamentin Austriak, Fritz Neugebauer i cili në përfundim të mbrëmjes vizitoi biblotekën e re. Në fjalën e tij theksoi rëndësinë e një shkollimi të mirë jo vetëm për të ardhmen personale të nxënsëve por edhe për të ardhmen e mbarë vendit.

Në fund të festës ishte organizuar një koktej i shoqëruar me muzikë.

Drejtoria në fund falenderoi për këto 6 vjet sukses të shkollës Austriake. Përfundimin i maturës së parë nuk ishte një sukses i arrirë vetëm per 36 maturantët tanë por ishte edhe një sukses i arrirë për të gjithë shkollën.