Monthly Archives: June 2012

Mbështetje financiare për shkollën „Beato Zeferino“

Që në pranverën e vitit 2012, Shkolla Austriake „Peter Mahringer“ mbështet shkollën „Beato Zeferino“ në Shkodër. Shkolla, në të cilën ndodhen 5 klasa të ciklit fillor dhe një klasë kopësht është ndërtuar posaçërisht për nevojat e komunitetit rom dhe egjyptian. Kjo shkollë ekziston tashmë prej 10 vitesh dhe falë saj shumë fëmijë kanë mësuar të shkruajnë dhe të lexojnë. Shkolla i ofron të gjithë nxënësve përkujdesje mjekësore dhe drekë, shërbime shumë të rëndësishme për familjet e këtyre fëmijëve që jetojnë në kushte shumë të vështira shoqërore.

Me 22 Shkurt 2012, një delegacion nga Shkolla Austriake i dorëzoi drejtoreshës Havajana Tabaku dhe Angelo Argese, nga urdhëri i Kapucinëve (i cili mbështet shkollën në mënyrë të konsiderueshme), disa ushqime të sponsorizuara nga ORA Austria. Më 16 Mars, një grup mësuesish nga shkolla jonë vizitoi shkollën dhe dhuroi privatisht një shumë parash.

Ndërkohë projekti mori një dinamikë të bukur: me iniciativë të Johanna Mallinger, u mblodhën në qytetin e Braunau dhe rrethina 2.600 Euro, të cilat iu dhuruan shkollës „Beato Zeferino“ nga nxënësit e klasës 2b në kuadër të një vizite me datë 18 Maj. I falenderojmë të gjithë donatorët në Shqipëri dhe Austri për mbështetjen! Një falenderim i veçantë shkon për mësueset dhe mësuesit e shkollës teknike HBLA në Braunau, të cilët mbështetën projektin, dhe maturantët, të cilët në mënyrë spontane dhuruan një pjesë nga kursimet e tyre për ballon e maturës!

Më 31 Maj, një grup me 20 fëmijë dhe me 6 mësuese na e ktheu vizitën në shkollën tonë. Fëmijët u ndanë në grupe të vogla dhe u organizua një program nga nxënësit e klasës 2b, i cili zgjati dy orë. Programi ishte i ndarë në katër pjesë. Nxënësit e shkollës sonë i treguan fëmijëve se si të përdoret kompjuteri, si të ndërtohen mullinj ere dhe portofole prej kartoni, se si të bëhen lojëra shpejtësie, lexuan tregime dhe luajtën me to në oborrin e shkollës. Në fund hëngrën diçka në mensën e shkollës. Të gjithë ishin dakort me thënien e Raelës: “u kënaqëm, por më mirë të bëjmë mësim nëntë orë se sa të mësojmë të tjetërët dy orë!“

Foto